Operacioni i kataraktës: Si të përgatiteni dhe çfarë të prisni
Katarakta është një nga shkaqet më të zakonshme të dobësimit të shikimit tek të moshuarit. Ajo paraqet mjegullim të thjerrëzës natyrale në sy, gjë që çon në shikim të turbullt, ndjeshmëri ndaj dritës dhe vështirësi gjatë leximit ose ngasjes së makinës.
Simptomat dhe indikacionet për operacion
Katarakta zhvillohet gradualisht dhe nuk shkakton dhimbje, por simptomat mund të ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës.
Simptomat më të shpeshta :
●Shikim i turbullt ose i mjegulluar
●Probleme me shikimin gjatë natës
●Ndjeshmëri ndaj dritës ose shkëlqimit
●Nevojë për syze më të forta ose ndryshim i shpeshtë i dioptrisë
●Ngjyrat duken të verdha ose të zbehta
●Shikim i dyfishtë në një sy
Kur rekomandohet operacioni?
●Kur katarakta ndikon ndjeshëm në funksionimin e përditshëm
●Nëse nuk mund të ngisni makinën, të lexoni, të punoni apo të lëvizni në mënyrë të sigurt
●Me rekomandim nga mjeku oftalmolog pas një kontrolli të syve
Është e rëndësishme të dihet se i vetmi trajtim për kataraktën është heqja kirurgjikale e thjerrëzës së mjegulluar dhe zëvendësimi i saj me një thjerrëz artificiale (intraokulare).
Si kryhet operacioni?
Operacioni i kataraktës është një nga procedurat mjekësore më të sigurta dhe më të suksesshme sot. Kryhet në ambulantë, pra nuk kërkon shtrim në spital.
Procedura :
●Përdoret anestezi lokale (me pika) për të bllokuar dhimbjen
●Përmes një hapjeje të vogël futet një instrument për të copëtuar dhe hequr thjerrëzën e mjegulluar (me teknikën e quajtur fakoemulsifikim)
●Në vend të saj vendoset një thjerrëz artificiale (implant intraokular)
●Ndërhyrja zgjat rreth 15–30 minuta
Zakonisht operohet një sy, ndërsa tjetri caktohet pas shërimit.
Përgatitja para operacionit
Përgatitje mjekësore:
●Kontroll tek oftalmologu me matje të presionit të syrit, mprehtësisë vizuale dhe biometrisë (për përcaktimin e llojit të thjerrëzës)
●Testim i gjendjes së përgjithshme shëndetësore (gjak, zemër)
●Mund të jetë e nevojshme të ndërprisni disa ilaçe (si p.sh.. antikoagulantët)
Përgatitje personale:
●Para operacionit, do të merrni pika antibiotike për përdorim disa ditë
●Organizoni një person që t’ju shoqërojë, pasi nuk do të mund të ktheheni vetë në shtëpi
● Mos përdorni grim apo kremra ditën e operacionit
●Hani një vakt të lehtë nëse ju lejohet nga mjeku
Rikuperimi dhe kujdesi pas operacionit
Ditët e para:
●Mund të ndjeni një irritim të lehtë, lotim ose ndjeshmëri ndaj dritës
●Shikimi do të përmirësohet gradualisht – në ditët e para mund të jetë i turbullt
●Do të duhet të përdorni pika për sy (antibiotik dhe kundër inflamacionit) sipas rekomandimit të mjekut
Çfarë duhet të shmangni:
●Mos fërkoni syrin
●Mos ngrini pesha të rënda dhe mos përkulni kokën poshtë
●Shmangni pishinat dhe ambientet me pluhur
● Flini me mbrojtje mbi syrin (gjatë netëve të para)
Rikthimi në aktivitete:
●Leximi dhe shikimi i televizorit lejohen pothuajse menjëherë
●Ngasja e makinës – sipas rekomandimit të oftalmologut (zakonisht pas disa ditësh)
●Aktivitetet seksuale dhe sportive – pas 2–4 javësh, në varësi të rikuperimit
Kontrolle dhe ndjekje afatgjatë
●Kontrolli i parë bëhet ditën pas operacionit
● Kontrollet e tjera: pas 1 jave dhe pas 1 muaji, ose sipas nevojës
● Në shumicën e rasteve, shikimi stabilizohet plotësisht brenda 4 deri në 6 javë
Syze të reja rekomandohen të paktën 4 javë pas operacionit, nëse janë të nevojshme.
Operacioni i kataraktës është një ndërhyrje pa dhimbje, e shpejtë dhe efektive me të cilën mund të riktheni shikimin e qartë. Me përgatitje të mirë, respektim të rekomandimeve dhe kontrolle të rregullta, rikuperimi zakonisht kalon pa komplikime.
Mayo Clinic. “Cataract surgery: What to expect before, during and after.”www.mayoclinic.org
American Academy of Ophthalmology. “Cataract Surgery.” www.aao.org