Shopping cart

Free Shipping for all orders over $200

Big Dumbbells
$120.00 x2
Vitamin Bottle
$80.00 x2

Subtotal:

$113.00
  • Na ndiqni:

MK

|

SQ

disabled_visible

Të ushqyerit te diabetikët: ushqime kyçe për kontrollin e sheqerit në gjak

Diabeti është një sëmundje kronike që kërkon planifikim të kujdesshëm të ushqimit për të mbajtur një nivel të qëndrueshëm të sheqerit në gjak. Me një dietë të ekuilibruar, është e nevojshme të mësoni si të kontrolloni marrjen e karbohidrateve, të cilat janë përgjegjëse për rritjen e nivelit të glukozës në gjak pas një vakti. Në këtë mënyrë, mund të ulet rreziku i komplikimeve dhe të përmirësohet shëndeti i përgjithshëm i rganizmit.

Ushqyerja në mënyrën e duhur te diabetikët ka për qëllim që të sigurojë marrjen e duhur të energjisë për të arritur dhe mbajtur masën e dëshiruar trupore, si dhe për tu mbajtur një numër adekuat vaktesh gjatë ditës për të stabilizuar nivelin optimal të sheqerit në gjak. Kjo përfshin larmi ushqimesh, duke siguruar marrjen e duhur të proteinave, karbohidrateve, yndyrnave, vitaminave, mineraleve, fibrave dhe ujit, kështu duke kufizuar marrjen e kripës dhe alkoolit.

Ushqime që mund të ndihmojnë në kontrollin e sheqerit në gjak dhe këshilla të dobishme për planifikimin e vakteve:

1. Drithëra të plota, në vend të atyre të rafinuara dhe bishtajoreve

Drithërat e plota si elbi, thekra, orizi integral, tërshëra, hikërrori dhe kinoa janë të pasura me fibra që mund të parandalojnë ngritjen e shpejtë të sheqerit në gjak. Ndryshe nga produktet e rafinuara si buka e bardhë dhe makaronat, drithërat e plota dhe bishtajoret (fasule, bizele, thjerrëza, qiqra) kanë një indeks glicemik më të ulët (IG), karbohidratet e tyre shpërbëhen më ngadalë në sistemin tretës, gjë që ndihmon në ruajtje e një niveli të qëndrueshëm të glukozës në gjak.

Këshillë: Zgjidhni produkte nga drithëra të etiketuara "100% integrale" dhe i kombinoni ato me perime pa niseshte dhe proteina të cilësisë së lartë si vezët, mish pa yndyrë ose peshk për një vakt të ekuilibruar.

2. Perime pa niseshte

Perimet si brokoli, spinaqi, lakra, kungulli i njomë dhe specat janë një zgjedhje e shkëlqyer sepse përmbajnë pak kalori dhe shumë fibra, vitamina dhe minerale. Perimet pa niseshte nuk ndikojnë ndjeshëm në nivelin e sheqerit në gjak dhe mund të konsumohen në sasi më të mëdha.

Këshillë: Përfshini perime të llojllojshme në çdo vakt. Mund t’i hani të freskëta, të ziera në avull ose të pjekura me pak vaj ulliri.

3. Yndyra të shëndetshme

Yndyrnat që gjenden në ushqime të tilla si bërthamat, farat, avokado, vaj ulliri dhe peshku yndyror (salmoni, tuna, sardelet) mund të ndihmojnë në reduktimin e proceseve inflamatore në trup dhe të mbështesin shëndetin e sistemit kardio-vaskular. Ato gjithashtu ndihmojnë në përthithjen më të mirë të vitaminave të rëndësishme.

Këshillë: Shmangni yndyrnat trans (të cilat gjenden në disa ëmbëlsira industriale dhe krekerë, ushqime të skuqura, si dhe margarina dhe yndyra bimore të prodhuara nga hidrogjenizimi i pjesshëm i vajit), kufizoni yndyrnat e ngopura, produktet e furrës, kërcet, ëmbëlsirat dhe prodhimet sallamarie.

Përdorni vaj ulliri si salcë sallate ose shijoni një grusht arrash ose bajamesh si meze e lehtë

4. Ushqime të pasura me proteina

Proteinat ndihmojnë në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe japin një ndjesi ngopjeje. Për vakte cilësore, zgjidhni mish pa yndyrë, peshk, vezë, bishtajore dhe kos.

Këshillë: Kombinoni ushqimet proteinike me perime ose drithëra të plota për të siguruar një vakt të ekulibruar që do t'ju mbajë të ngopur më gjatë.

5. Fruta me indeks glicemik të ulët

Frutat si manaferrat, mollët, dardhat dhe agrumet mund të jenë pjesë e dietës së duhur e diabetikëve, pasi ato përmbajnë fibra dhe sheqerna natyralë të cilat përthithen më ngadalë nga sistemi tretës në qarkullimin e gjakut.

Këshillë: Konsumoni fruta në sasi më të vogla, mundësisht me një vakt që përmban proteina ose yndyra, për të reduktuar ndikimin e nivelit të sheqerit në gjak.

6. Produkte të qumështit me pak yndyrë

Versionet pa yndyrë ose me pak yndyrë të qumështit, kosit dhe djathit janë burime të mira të kalciumit dhe proteinave. Kujdes, zgjidhni produkte pa sheqerna të shtuar (saharozë, shurupe glukozë-fruktozë, shurupe frutash, mjaltë, marmeladë dhe ëmbëlsuses të ngjashëm).

Këshillë: Jogurti grek pa shtesa mund të shërbejë si një vakt ose bazë për smoothie.

7. Përdorni erëza gjatë gatimit dhe kufizoni kripën

Erëzat që japin shije më të pasur dhe përmbajnë antioksidantë të dobishëm përfshijnë kurkumën, specin e ëmbël dhe djegës, borzilokun, rozmarinë, kopër, komoraj, qimnon, xhenxhefil, temjan, kanellë.

8. Pini mjaftueshëm ujë

Hidratimi është veçanërisht i rëndësishëm, dhe me një mënyrë jetese pasive, është e nevojshme të konsumohen rreth 2 litra ujë në ditë (me aktivitete fizike dhe temperatura më të larta, nevojat rriten).

Tre këshilla kryesore për të ushqyerit te diabietikët:

  1. Vakte të rregullta: Hani në intervale të rregullta për të parandaluar ndryshime të papritura të sheqerit në gjak.
  2. Kontrolli i porcioneve: Konsumoni porcione të vogla më shpesh për të shmangur ngrënien e tepruar (varësisht nga terapia e përgjithshme, për shembull 3 vakte dhe 2 mesvakte në ditë dhe një vakt nate sipas nevojës).
  3. Shmangni ushqimet e përpunuara: ëmbëlsirat, pijet e gazuara dhe ushqimet e shpejta shpesh përmbajnë sasi të larta sheqeri dhe yndyrna jo të shëndetshme.

Planifikimi i duhur i të ushqyerit është çelësi i menaxhimit të suksesshëm të diabetit. Duke u konsultuar me mjekun ose nutricionistin, mund të përshtatni planin tuaj të ushqyerjes sipas nevojave dhe stilit tuaj të jetesës. Ju përkujtojmë, ndryshimet e vogla mund të sjellin rezultate të mëdha!

Vlerësim mesatar:

3 (94 vota)

Vlerësimi juaj u regjistrua!